Xhandarmëria serbe e hoqi lapidarin e UÇPMB-së (Video)

Forca të mëdha speciale të xhandarmerisë serbe sot në orën 7.00 të mëngjesit kanë larguar lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së të vendosur në qendër të Preshevës. Për realizimin e këtij operacioni ishin angazhuar forca të mëdha policore serbe. Nga ish tregu i vjetër e deri tek rruga që shpie deri tek qendra, në rrugën “Ramiz Sadiku” nga rruga e fshatit Rahovicë deri tek qendra dhe ajo që shpie rrugës për Gjilan, të gjitha rrugët kanë qenë të bllokuara nga mijëra forca speciale, transmeton Presheva.com. Xhandarmëria e largoi dhe mori me vete lapidarin duke e dërguar në lokacion të panjohur dhe pastaj u largua nga qendra e Preshevës. Lidhur me heqjen e lapidarit është prononcuar edhe kryeminsitri serb Ivica Dacic, i cili ka thënë se “pjesëtarët e xhandarmerisë serbe kanë larguar vendosjen ilegale të përmendores në Preshevë. “Aksioni është kryer pa asnjë incident dhe pa përdorim të forcës, ka deklaruar kryeministri serb, Ivica Dacic. Kryeministri dhe ministri i punëve të brendshme ka deklaruar se pas skadimit të afateve ligjore, me urdhër të ministrisë së drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmerisë serbe kanë larguar përmendoren ilegale të vendosur në Preshevë. “Serbia ka treguar mjaft durim, mirëpo i ka dërguar edhe mesazh të qartë se ligji duhet të respektohet dhe askush nuk është më i fuqishëm se shteti”, ka thënë Dacic.